Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me të cilin diskutoi zhvillimet politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, shkruan Katror.info.

Ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente. Ai theksoi se zgjedhjet janë pritur mirë edhe nga Brukseli dhe e uroi kryeministrin Kurti për rezultatin e arritur.
Ata diskutuan për hapat e ardhshëm drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
Po ashtu, u theksua nevoja për heqjen e masave të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës dhe për një shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Katror.info
