Në muajin e gështenjës, banorët e Morinës së Gjakovës, por edhe fshatrave të tjerë rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, kanë filluar vjeljen e gështenjave. Rendimentet e sivjetme, sipas kultivuesve, janë më të mira se 3-4 vitet e fundit.
Banorët e Morinës së Gjakovës por edhe fshatrave te tjerë rrëzë Bjeshkëve të Nemuna në të kaluarën e kanë siguruar ekzistencën falë gështenjës, prandaj jo rastësisht gështenja është konsideruar edhe si pema e jetës.
Kështu thotë Asllan Demiri nga Morina i cili këto ditë është duke i vjelë rreth 7 hektarë me gështenja. Ai është shprehur i kënaqur me prodhimin e sivjetmë.
“Kjo treva jonë Morinë, Molliq, Batushë, Junik e deri në Deçan atje pasuri e kanë pas gështenjën. Të gjitha shpenzimet para lufte i kemi siguruar prej gështenjave. Këtë vit rendimenti është më i mirë se vitin e kaluar e besa edhe se këto 3-4 vitet e fundit. Shi ka ra në pranverë, këto donë shi dhe lagështi. Edhe pse ka qenë verë e thatë, së fundmi ka ra shi edhe kjo ju ndihmoi edhe janë kualitet sivjet”, tha ai.
Asllani, krahas vjeljes, ka zgjedhur edhe të ziej gështenja të cilat siç tha ai, ia kujtojnë të kaluarën kur mali mbushej plot e përplot njerëz kurse sot pothuajse është boshatisur.
“Kështu i kemi zier përpara. Kemi pjekë besa në mal e, tash pak a shumë është njëfarë nostalgjie kur e shoh këtë zjarr kështu, ma kujton moshën fëmijërore para lufte kur e bënim një gjë të tillë. Por kemi problem për punëtorë, se përpara dalshim 5 e 6 e 7 tash më së shumti dy edhe vikendeve po na ndihmojnë fëmija se është bukur problem me ju ardhë rreth”, tha ai për RTK.
“Ky është mali jonë, këto i shkundim çdo gështenjë duhet me hyp me peshë me e shkund me i mbledhë secili parcelën e vet se këto dy javë apo tri e japin atë frytin e vet atëherë ma deri në motin tjetër as nuk prashiten as vaditen veç e japin ketë prodhim”, tha Sylë Rrustemaj.
Sipas të dhënave zyrtare, në komunat Gjakovë, Deçan dhe Junik janë rreth 350 hektarë pyje me gështenja./Katror.info













