Kupa e Kosovës në basketboll rikthehet këtë mesjavë me aktin e dytë të gjysmëfinaleve, ku dy ndeshje emocionuese do të zhvillohen të mërkurën në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Në përballjen e parë, Bora do të përballet me Trepçën në një duel ku mitrovicasit fitojnë nga ndeshja e parë me 23 pikë dallim (87:64). Për të kaluar në finale, prishtinasit duhet të fitojnë me të paktën 24 pikë dallim, ndërsa ‘Xehetarët’ mbeten fitues aktual të Kupës dhe edicionin e kaluar fituan edhe titullin dhe Superkupën.
Sfida tjetër gjysmëfinale do të jetë Sigal Prishtina – Bashkimi, dy skuadra me traditë në basketbollin kosovar. Prizrenasit fituan ndeshjen e parë me 83:67, dhe kryeqytetasit duhet të fitojnë me të paktën 17 pikë dallim për të siguruar vendin në finale.
Orari i gjysmëfinaleve të kthimit:
- 17:00 – Bora vs Trepça
- 20:00 – Sigal Prishtina vs Bashkimi
Finalja e Kupës së Kosovës është planifikuar të zhvillohet më 18 shkurt, dhe gjysmëfinalet premtojnë ndeshje të forta dhe emocione të mëdha për tifozët e basketbollit kosovar./Katror.info










