Ka nisur java e shtatë prej kur Kosova iu nënshtrua procesit zgjedhor në zgjedhjet e rregullta parlamentare, por edhe pas kaq javësh, ende nuk ka certifikim rezultatesh.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Supreme, meqë procesi është në fazën e ankesave.
“Aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, theksoi zëdhënësi, Valmir Elezi.
Një javë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndaj të cilave pati ankesa nga subjektet politike në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, organ ky që i rrëzoi të njëjtat, duke bërë që ato t’i drejtohen Supremes e cila është ende brenda afatit për vendimmarrje./Katror.info