Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend dhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Në fillim të takimit, Kurti e uroi ambasadorin për përfundimin e suksesshëm të procesit të formimit të koalicionit qeverisës në Gjermani.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në vijim, biseda u përqendrua edhe në situatën aktuale politike në Kosovë, konkretisht në hapat drejt formimit të qeverisë së re pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ndër temat tjera të diskutuara ishin edhe çështjet e politikës së brendshme dhe sundimi i ligjit.
Tutje në njoftim thuhet se Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e heqjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e konsideruar këtë një hap të nevojshëm për avancimin e agjendës evropiane të vendit.
“Në këtë kontekst, u diskutua edhe për zhvillimet aktuale në vend lidhur me formimin e qeverisë së re në Kosovë, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjatë takimit u trajtuan edhe tema të tjera të politikës së brendshme, përfshirë sundimin e ligjit.
Një pikë tjetër e diskutimit ishte edhe masat e BE-së ndaj Kosovës, ku kryeministri Kurti përsëriti nevojën për heqjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Masat ndëshkuese në qershor 2023 përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, suspendimin nga programi i fondeve për Kosovën, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë përveç takimeve në dialogun me Serbinë dhe mosmiratimin e projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor.
Parlamenti Evropian ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke thënë se ato janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së. /Katror.info
Përgatiti:
