Pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet lokale në Kosovë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e treguar ndaj subjektit të tij politik.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi,” ka shkruar kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Ai u shpreh mirënjohës për mbështetjen ndaj kandidatëve të Vetëvendosjes nëpër komuna, duke e cilësuar këtë besim si forcë për të vazhduar me përkushtim e punë përpara.
Në fund, Kurti theksoi rëndësinë e fazës së numërimit të votave, duke nënvizuar rolin e komisionerëve dhe vëzhguesve që “jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve.”/Katror.info