Kuvendi i Kosovës as në përpjekjen e 14-të nuk arriti të konstituohet, në kuadër të legjislaturës së nëntë, pas disa seancave të dështuara për shkak të mungesës së kuorumit.
Seanca e sotme e mbajtur nën drejtimin e deputetit më të vjetër Avni Dehari, dështoi sërish të përmbushë procedurat e nevojshme për formimin e komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Kryesuesi Dehari ftoi partitë parlamentare – PDK, LDK, Listën Serbe dhe koalicionin AAK-Nisma – që të propozojnë nga një anëtar në komision, por përballë mungesës së propozimeve, ai vendosi të hedhë në votim përbërjen e komisionit me emrat e propozuar më herët gjatë seancave të kaluara.
Në votim 54 ishin pro, asnjë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Megjithatë, numri nuk ishte i mjaftueshëm për të vazhduar me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Pas votimit, Dehari shpalli ndërprerjen e seancës dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë të martën më 13 maj, në orën 10:00./Katror.info