Lady Gaga, Bruno Mars dhe Kendrick Lamar janë emrat me më së shumti nominime për çmimet MTV Video Music Awards (VMA) të këtij viti, ka raportuar BBC.
Në listën e të nominuarve janë gjithashtu Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande, të cilat janë të nominuara në kategoritë më të rëndësishme për vitin 2025.
Beyoncé dhe Taylor Swift, që aktualisht mbajnë rekordin për më së shumti çmime VMA në histori, me nga 30 secila, janë nominuar këtë vit vetëm në një kategori: Artisti i Vitit.
Asnjëra nuk ka publikuar ndonjë album të ri gjatë vitit të kaluar, por të dyja kanë zhvilluar turne madhështore që kanë mbushur stadiumet.
Taylor Swift, e cila tashmë mban rekordin për më së shumti trofe “Moonman” si artiste solo, ishte edhe fituesja më e madhe e vitit të kaluar, me shtatë çmime, përfshirë dy më të mëdhatë: Artisti i Vitit dhe Videoja e Vitit.
Këtë vit, Lady Gaga kryeson me 12 nominime, Bruno Mars e ndjek me 11, ndërsa reperi Kendrick Lamar ka 10. Këngëtarja e hitit “Espresso”, Sabrina Carpenter, ka siguruar 8 nominime.
Albumi i ri i Lady Gaga-s, Mayhem, është nominuar për Albumin më të mirë, ndërsa ajo vetë është në garë për Artisten e Vitit. Artistja 39-vjeçare është aktualisht në një turne në SHBA.
Kënga “Die With A Smile”, një bashkëpunim mes Lady Gagas dhe Bruno Marsit, është nominuar për Këngën e Vitit. Ky duet ka marrë gjithashtu nominime për Bashkëpunimin më të mirë, Pop-in më të mirë dhe Videon më të mirë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 7 shtator në UBS Arena në New York.
Këtë vit, për herë të parë janë shtuar dy kategori të reja: Artisti më i mirë pop dhe Artisti më i mirë Country.
Ndërkohë, nuk ka ende ndonjë plan të konfirmuar për MTV Europe Music Awards, pasi siç raportohet, ende nuk dihet nëse kjo ceremoni do të mbahet këtë vit./Katror.info