Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Qeveria e Kosovës ka lansuar platformën “Raportimi i Gjelbër”, përmes së cilës qytetarët mund të denoncojnë ndotjen e ambientit, ndërtime të paligjshme në natyrë dhe veprime të tjera kundër mjedisit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se tashmë secili qytetar mund të raportojë rastet në numrin pa pagesë 0800 00013 ose përmes email-it [email protected].
Përveç kësaj nisme, Kurti njoftoi për disa prej rezultateve të qeverisë në mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë iniciuar 390 raste për ndërtime ilegale në gjykata, ndërsa mbi 200 vendime janë marrë kundër tyre.
Ai theksoi se Task Forca e Gjelbër ka ndërhyrë në pellgun e Drinit, duke ndaluar aktivitete të jashtëligjshme dhe ka filluar me pastrimin e lumenjve. Po ashtu, janë në ndërtim qendrat informative në Sharr dhe Bjeshkët e Nemuna, ndërsa shtoi se po digjitalizohen hyrjet në parqe për të rritur transparencën dhe kontrollin.
“Në menaxhimin e mbeturinave, kemi ndaluar përdorimi i qeseve plastike nën 25 mikron dhe po krijojmë sistemin e parë për kthimin e shisheve në vend, si dhe qendrat për ndarjen e mbeturinave në secilin rajon. Numri i deponive ilegale është përgjysmuar nga 747 në vitin 2022, në 373 në vitin 2023”, njoftoi Kurti.
Në sektorin e energjisë dhe klimës, Kurti tha se janë hequr lejet për panelet diellore për amvisëri, janë dhënë subvencione për efikasitet energjetik dhe është rritur prodhimi nga burimet e ripërtëritshme. Ndërkohë, sipas tij, është automatizuar rrjeti hidrometeorologjik për paralajmërim të hershëm nga përmbytjet dhe kanë nisur projektet për rezervuarët e ujit që do të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm për pije, ujitje dhe industri.
“Mbrojtja e mjedisit është punë e përditshme dhe e pambarim, ku secili prej nesh duhet të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka shkruar ai. /Katror.info
Përgatiti:
