Largimi i Kosovës nga lista e Bankës Botërore për shtetet të cilat janë në situata të konfliktit është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të imazhit të vendit. Njohës të ekonomisë thonë se pas këtij vendimi të Bankës Botërore, vendi do të ketë mundësi më të favorshme për financim zhvillimor e po ashtu edhe për tërheqjen e investimeve të huaja.
Vendimi i Bankës Botërore u mirëprit nga njohës të sistemit financiar të cilët thonë se imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare po përmirësohet.
“Republika e Kosovës aktualisht ka një imazh jo të mirë në arenën ndërkombëtare, duke marrë për bazë edhe konfliktin në veri e njëkohësisht edhe mos formimin e institucioneve. Por, tashmë Banka Botërore ka një reputacion tepër të mirë dhe mendoj se do ta rrisë percepsionin dhe do ta rrisë edhe dëshirën e investitorëve të huaj për të hulumtuar për investime në Kosovë, duke marrë për bazë edhe taksat që i ka Kosova dhe njëkohësisht edhe fuqinë punëtore”, tha për RTK-në, Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.
E me largimin nga kjo listë vlerësohet se do të rritet edhe besimi i investitorëve të huaj.
Përderisa Kosova ndër vite është përballur me sfida në tërheqjen e investimeve të huaja, largimi i vendit nga lista e Bankës Botërore për shtetet në situata konflikti vlerësohet se do të rrisë besimin te investitorët e huaj që të vendosin kapitalin e tyre në Kosovë.
Sipas Bankës Qendrore, heqja e Kosovës nga lista e FCS-së do ta përmirësojë perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit si dhe do të ofrojë mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat./RTK/Katror.info