A e dinit se në kufirin mes Zvicrës dhe Gjermanisë ndodhet ura më e gjatë e mbuluar prej druri në Evropë, Holzbrücke Bad Säckingen? E ndërtuar që në vitin 1272, sot lidh Bad Säckingen me fshatin zviceran Stein dhe është e hapur vetëm për këmbësorë dhe çiklistë. Në të kaluarën, ushtria zvicerane e kishte minuar këtë urë, ndërsa sot është motiv i dashur për fotografë e artistë, duke ofruar një përvojë unike ecjeje mes dy shteteve dhe një udhëtim në historinë shumë shekullore. Shëtitja mbi të kalon kufirin mes Zvicrës dhe Gjermanisë, përcjell TAR.
Holzbrücke Bad Säckingen (në gjermanisht) ose Säckingerbrücke (në zvicerane) është urë mbi lumin Ren që lidh qytetin gjerman Bad Säckingen me fshatin zviceran Stein. Shtrihet mbi 203,7 metra mbi Hochrhein dhe është ura më e gjatë e mbuluar prej druri në Evropë. Ajo është shpallur monument kombëtar në Zvicër. E ndërtuar në vitin 1272, ura është shkatërruar disa herë (në 1570, 1633 dhe 1678), ndërsa forma aktuale u përfundua në vitin 1700. Fillimisht ishte urë rrugore, por sot është vetëm për këmbësorë, pasi në vitin 1979 u hap Fridolinsbrücke (Rheinbrücke Stein) për qarkullimin e automjeteve.
Kjo urë është gjithashtu motiv i dashur fotografik dhe frymëzim për shumë artistë. Ndriçimi dhe momentet e ndryshme të ditës zbulojnë bukurinë e saj në mënyra të veçanta, shkruan faqja turistike Black Forest. Ushtria zvicerane e kishte të pajisur për dekada me sasi të mjaftueshme TNT-je për ta hedhur në erë në rast nevoje. Nuk ishte rast i izoluar, ushtria e Zvicrës kishte minuar shumë ura përgjatë kufirit me Gjermaninë, si pjesë e politikës së saj të neutralitetit të armatosur deri në dhëmbë.
Edhe pse Zvicra nuk ka marrë pjesë në luftëra që nga viti 1815, ajo ka mbajtur ushtrinë aktive. Në rast të një pushtimi, doktrina parashikonte tërheqje nga qytetet dhe luftë guerile nga Alpet. Kjo strategji i mundësoi vendit të shmangte sulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe nazistët hezituan të përballeshin me një luftë guerile në terren kaq të ashpër. Gjatë Luftës së Ftohtë, ura dhe tunelet në mbarë Zvicrën ishin të mbushura me eksploziv, gati për t’u hedhur në erë në rast të një sulmi të tankeve armike. Urat përgjatë kufirit me Gjermaninë ishin veçanërisht të minuar, pasi besohej se një sulm sovjetik mund të vinte përmes Gjermanisë Lindore. Vitet e fundit, zviceranët i kanë hequr gradualisht eksplozivët nga urat, megjithatë mbetet e paqartë nëse ky “plan” është përfunduar tërësisht.
Bad Säckingen, i përmendur për herë të parë në vitin 878 si Seckinga, konsiderohet si themel i grupit alemann Secco. Emri i qytetit ka të ngjarë të rrjedhë nga një romanizim i toponimit Sanctio, ngjashëm me Aachen-in ose Baden-Baden. Qyteti është i pasur me monumente dhe vepra arti. Skulptori Klaus Ringwald ka realizuar një reliev që paraqet themeluesin e qytetit, Shën Fridolin, kulturën shekullore dhe moderne të banjave si dhe historinë e dashurisë së poetit Joseph Victor von Scheffel. Kulla me mure të fuqishme, e ngritur më 1343 si mbrojtje nga përmbytjet e Rinit, sot shërben si han i zejtarëve dhe si qendër për aktivitete kulturore. Në qytet gjenden edhe katër shtëpi peshkatarësh. Njëra prej tyre, e ndërtuar në vitin 1717, është ndër më të vjetrat në Bad Säckingen. Nën pronësi të komunës, sot shërben si muze dhe hapësirë ekspozitash për artistët, duke promovuar kult urën dhe historinë e këtij qyteti plot hijeshi. /Katror.info