Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara organizoi promovimin e librit “Lidhja më e fortë: Një histori gojore e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” me autoret Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja.
“Të ftuarit nga shoqëria civile, akademia, mediat, institucionet amerikane dhe diaspora jonë morën pjesë në një bisedë të hapur dhe përfshirëse ku patën mundësinë t’u drejtonin pyetje autorëve dhe panelit, duke marrë përgjigje prekëse dhe të thelluara që e sollën edhe më afër rrëfimin e dokumentuar në libër, thuhet në njoftim.
Ambasadori Ilir Dugolli dhe profesoresha Nevenka Tromp, ish-hulumtuese kryesore në Zyrën e Prokurorisë së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), ndanë gjithashtu reflektime të vlefshme mbi të kaluarën dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm, një çështje që ka cënuar kufijtë më themelorë njerëzorë dhe mbetet një padrejtësi ende pa llogaridhënie.
“Diskutimi shërbeu si një kujtesë e fortë se, pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së viteve 1998 deri 1999, përfshirë dhunën e përhapur seksuale ndaj rreth 20,000 grave, drejtësia për këto krime ende nuk është vendosur. Zërat e të mbijetuarve vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie dhe mbeten thelbësorë në mënyrën se si e kuptojmë dhe e përballojmë këtë pjesë të historisë sonë,” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në SHBA./Katror.info











