Bakteret që ndodhen në zorrë mund të shërbejnë si “shenja të hershme paralajmëruese” për sëmundjen e Parkinsonit, sipas një studimi të ri nga shkencëtarët në University College London (UCL).
Studiuesit zbuluan “ndryshime të qarta” në llojet e baktereve që gjenden te personat me Parkinson krahasuar me ata që nuk e kanë sëmundjen – duke shtuar provat se shëndeti i zorrëve dhe trurit janë të lidhura ngushtë, shkruan PositiveNews, përcjell Katror.info.
Aktualisht, Parkinsoni është shumë i vështirë për t’u diagnostikuar në fazat e hershme, pasi simptomat zhvillohen ngadalë.
Por, sipas shkencëtarëve të UCL, ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve mund të shërbejnë si sinjal i hershëm për sëmundjen, duke u mundësuar mjekëve ta zbulojnë dhe trajtojnë atë para se simptomat të përkeqësohen.
“Nuk e dimë ende nëse bakteret po shkaktojnë rënien kognitive, apo nëse ndryshimet në trup si pasojë e Parkinsonit po u krijojnë atyre kushte për t’u zhvilluar,” tha Dr. Frederick Clasen, udhëheqës i studimit.
Ndërsa bashkautori i studimit, Dr. Saaed Shoaie, shtoi: “Provat që po dalin në pah nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së shëndetit oral dhe të zorrëve për të ndihmuar në ngadalësimin e proceseve neurodegjenerative.”/Katror.info