Juventusi ka marrë një goditje të papritur në tregun e kësaj verë sa i përket transferimit të Edon Zhegrovës.
Presidenti i Lille, Olivier Letang, ka qenë i prerë në deklaratën e tij duke i dhënë fund zërave për një transferim të mundshëm të yllit kosovar në Torino.
“Edon Zhegrova do të qëndrojë me ne këtë sezon,” u shpreh Letang në prag të ndeshjes së Ligue 1 kundër Monacos.
“Nuk kam marrë asnjë ofertë. Mediat italiane kanë tendencë të ekzagjerojnë. Nuk ka asnjë marrëveshje apo negociata në zhvillim e sipër.”
Ai gjithashtu zbuloi se kishte pasur disa biseda të kaluara me drejtuesit e Juventusit, por ato nuk u konkretizuan.
“E njoh shumë mirë Damien Comollin dhe kemi folur disa herë që kur ai mori drejtimin e Juventusit. Pati disa shkëmbime disa javë më parë dhe dera ishte ndoshta më e hapur atëherë, por sot qëndrimi im është i qartë. Edoni qëndron,” përfundoi presidenti i Lille.
Kjo deklaratë i vë një pikë pothuajse përfundimtare interesimit të Juventusit, duke i detyruar bardhezinjtë të shikojnë alternativa të tjera për repartin ofensiv./RTK/Katror.info