Rikthimi i trenave “sleeper” nëpër Europë mori një goditje në shtator, kur operatori shtetëror austriak OBB njoftoi se do të heqë nga qarkullimi dy linjat e tij Nightjet – Paris–Vjenë dhe Paris–Berlin nga data 14 dhjetor.
Megjithatë, situata nuk është pa zgjidhje. European Sleeper ka konfirmuar se do të marrë përsipër linjën Paris–Berlin, me trenin e parë që pritet të niset më 26 mars 2026. Shërbimi do të funksionojë tre herë në javë, me nisje nga Paris Gare du Nord të martën, të enjten dhe të dielën në mbrëmje, ndërsa kthimi nga Berlin Hauptbahnhof dhe Ostbahnhof të hënën, të mërkurën dhe të premten.
Ndryshe nga Nightjet, që udhëton përmes Strasburgut dhe Frankfurtit, European Sleeper planifikon një itinerar përmes Brukselit, me detajet që po finalizohen me menaxherët e infrastrukturës në Francë, Belgjikë dhe Gjermani.
Chris Engelsman, bashkëthemelues i kompanisë, tha se tregu ekzistues i Nightjet ka gjasa të interesohen për shërbimin e ri.
“Ne do të ofrojmë kapacitet më të madh. OBB operon me 12 vagona që ndahen drejt Vjenës dhe Berlinit. Ne do të përdorim 12 deri në 14 vagona që shkojnë të gjithë drejt Berlinit, me kapacitet 600–700 pasagjerësh”.
European Sleeper, një kooperativë holandeze, nisi shërbimin e parë Berlin–Bruksel më 25 maj 2023 dhe e zgjeroi më tej drejt Dresdenit dhe Pragës. Deri tani, kompania ka transportuar mbi 230 mijë pasagjerë në më shumë se 750 trena nate. Pavarësisht disa kritikave për probleme teknike, vonesa apo ulje të papritura të klasit, shumë udhëtarë vlerësojnë nostalgjinë e vagonëve të vjetër dhe udhëtimin si përvojë në vetvete.
Sipas Engelsman, vagonët e linjës së re janë të marrë me qira në Gjermani dhe datojnë nga vitet ’90.
“Janë të ngjashëm me nivelin e komoditetit të Nightjet aktualisht. Vagonët tanë të shërbimit për Pragë janë shumë më të vjetër – disa që nga viti 1956 – por nuk do t’i përdorim në këtë linjë. Këtu do të jenë më të rinj”.
















