Lirika Deva, anëtare e përfaqësueses së Kosovës në skijim alpin, ka arritur të sigurojë normën Olimpike në disiplinën e Sllallomit (SL) pas pjesëmarrjes dhe rezultateve të saj në gjashtë gara ndërkombëtare. Kjo arritje i mundëson asaj të marrë pjesë në garat kualifikuese për Olimpiadën Dimërore, shkruan Katror.info.
“Lajme fantastike vijnë nga anëtarja e përfaqesueses së Kosovës, Lirika Deva, ajo tashmë ka siguruar normën Olimpike në disiplinën e Sllallomit (SL) në 6 gara, gjë që konfirmon këtë normë dhe do të jetë e gatshme për kualifikime në Kampionatin Botëror Saalbach 2025,” thuhet në njoftimin e Federatës Skitare të Kosovës.
Deva gjithashtu po përgatitet për Kampionatin Botëror të Skive Alpine, i cili do të zhvillohet nga 4 deri më 16 shkurt 2025 në Saalbach Hinterglemm, Austri. Ky kampionat mban një rëndësi të veçantë në sportin e skive, duke mbledhur sportistët më të mirë nga e gjithë bota për të garuar në disa disiplina, përfshirë Sllallomin.
Performanca e saj deri më tani është një tregues i qartë i përgatitjes së saj për garat e ardhshme, duke përfshirë ato që do të zhvillohen në Saalbach 2025, një nga ngjarjet më prestigjioze në kalendarin ndërkombëtar të sporteve dimërore./Katror.info