Për herë të parë që nga paslufta ka filluar procesi i lirimit të pronave të ndërmarrjes Trepça në Hajvali.
Bëhet fjalë për 11 hektarë, vlera e të cilëve shkon mbi 23 milionë euro. Nga ndërmarrja Trepça thonë se shumë shpejt prona do të ofrohet për shfrytëzim të përkohshëm.
“Ky është vetëm fillimi i procesit të rikthimit të pasurisë së Trepçës dhe vënies së saj në funksion të zhvillimit e të ardhmes së ndërmarrjes. Trepça Sh.A. njofton se së shpejti kjo pronë do të ofrohet për shfrytëzim të përkohshëm. Palët e interesuara do të ftohen zyrtarisht për të aplikuar, në përputhje me procedurat ligjore dhe parimet e transparencës”, kanë thënë ata.
Sipas ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti, përveç kësaj prone në Hajvali, do të nisë edhe procesi i lirimit të pronave të tjera, disa prej të cilave janë në Mitrovicë.
Këto prona janë shfrytëzuar me dekada të tëra nga individë të cilët nuk kanë paguar as qira, e tatimi për disa prej tyre i është faturuar Trepçës./RTK/Katror.info