Llapi ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, duke mposhtur Drenicën me rezultat 2:0.
Takimi u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku vendasit dominuan dhe arritën të krijojnë avantazh të dyfishtë para ndeshjes së kthimit.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, goli i parë u shënua në minutën e 29-të nga Arber Bytyqi për t’i dhënë epërsinë Llapit. Vetëm shtatë minuta më vonë, në minutën e 36-të, Antonio Marku i Drenicës devijoi topin në portën e vet, duke e çuar rezultatin në 2:0 për vendasit.
Në njoftim thuhet se me këtë fitore, Llapi është më afër finales së madhe, por gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas dy javësh në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Skuadra e trajnerit Tahir Batatina do të kërkojë ta ruajë avantazhin, ndërsa siç ceket, Drenica do të mundohet të përmbysë gjithçka për të siguruar një vend në finale. /Katror.info
Përgatiti:
