Bëhet e ditur se më datë 08.05.2023 në Cyrih, Shqipëria dhe Zvicra nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi (MoU) në fushën e Turizmit, përcjell albinfo.ch.
Theksohet se marrëveshja u nënshkrua nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë (AKT), Zana Çela-Rama, dhe Z. Federico Sommaruga, Drejtor i Tregjeve në Zhvillim dhe Projekteve Speciale në Turizmin Zviceran (ST).
Gjithashtu, prezentë gjatë firmosjes ishin edhe Ambasadori i RSH-së në Bernë, Ilir Gjoni dhe Pascal Prinz, Drejtor i Llogarive Globale në Turizmin Zviceran (ST).

Referuar MoU, Shqipëria dhe Zvicra do të forcojnë dhe zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e turizmit, duke përfshirë:
– Asistencën në vendosjen e kontakteve me organizatat përkatëse, qasjet ndaj turizmit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit në zonat malore dhe parqet kombëtare.
Asistencën për zhvillimin dhe poromovimin e produkteve për turistët shqiptarë dhe zviceranë në bashkëpunim me federatat lokale të agjensive të turizmit, përgjegjëse për mbështetjen e turizmit të jashtëm.
Dy vendet do të shkëmbejnë informacion mbi aktet ligjore që rregullojnë turizmin, statistikat mbi turizmin dhe përvojën e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve turistike. Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj marrëveshje është dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimorë të angazhuara në trajnimin e personelit profesional në fushën e turizmit.
Gjithashtu, Shqipëria dhe Zvicra do të ndihmojnë njëra tjetrën në organizimin e ekspozitave dhe forumeve të turizmit, si dhe të vizitave informative për përfaqësuesit e turizmit dhe mediave të të dy vendeve, me qëllim njohjen me infrastrukturën dhe produktet turistike.
Po ashtu gjatë vizitës, z.Sommargu shoqëroi delegacionin shqiptar në ambientet e Organizatës Kombëtare dhe Marketingut të Turizmit Zviceran./Katror.info