Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shpallur të hapur aplikimet për Programin e Kuponëve për vitin shkollor 2025/26. Përmes këtij programi, do të mbulohet plotësisht pagesa e kopshtit për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç, nga familjet që janë përfituese të Skemës së Asistencës Sociale (SAS).
Përveç tarifës së kopshtit, programi parasheh edhe mbulimin e shpenzimeve të transportit për fëmijët që banojnë të paktën 4 kilometra larg institucionit parashkollor.
Aplikimet do të jenë të hapura deri më 21 shtator 2025 përmes platformës e-Kosova, ndërsa prindërit që kanë nevojë për mbështetje shtesë në procesin e aplikimit mund t’i drejtohen Qendrave për Punë Sociale në komunat përkatëse.
Ky program synon të lehtësojë qasjen e fëmijëve në arsimin parashkollor dhe të ndihmojë familjet me gjendje të vështirë ekonomike./Katror.info