Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se u ka dërguar drejtorive komunale të arsimit katalogun e teksteve shkollore për klasat 1 deri në 5, për vitin shkollor 2025/2026. Krahas katalogut janë shpërndarë edhe linqet e teksteve fituese të shtëpive botuese, të cilat janë në dispozicion të mësimdhënësve për shqyrtim.
Ky veprim synon përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përzgjedhjen e teksteve më të përshtatshme për nxënësit, duke garantuar një proces transparent dhe profesional. MAShTI thekson se përzgjedhja duhet të bëhet vetëm nga katalogu i aprovuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe se ky proces do të realizohet nga aktivat profesionale të mësimdhënësve në nivel komunal.
Ministria njofton se ky proces është duke u monitoruar dhe u bën thirrje mësimdhënësve ta trajtojnë me përkushtim detyrën e tyre. Afati i fundit për dorëzimin e katalogut të përzgjedhur nga drejtoritë komunale të arsimit në MAShTI është 15 korrik 2025./Katror.info