Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka miratuar për herë të parë listën e 158 profesioneve të rregulluara, duke u bazuar në kornizën ligjore në fuqi, direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian dhe rekomandimet nga Raporti i Progresit, shkruan Katror.info.
Sipas MASHTI-t, ky vendim shënon një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të procesit të njohjes së kualifikimeve profesionale me praktikat më të mira evropiane. Ky proces po realizohet përmes Qendrës për Profesionet e Rregulluara, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Për herë të parë në MASHTI aprovuam listën e 158 profesioneve të rregulluara, duke u bazuar në kornizën ligjore në fuqi, direktivat përkatëse të BE-së, dhe rekomandimet nga Raporti i Progresit. Përmes Qendrës për Profesionet e Rregulluara, dhe me mbështetjen e BE-së, po bëjmë përafrimin e procesit të njohjes së kualifikimeve profesionale, sipas praktikave më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e Minstres Nagavci.
Vendimi për të rregulluar këto profesione ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e interesit publik duke përcaktuar standardet dhe rregullat për ushtrimin e tyre. Lista përfshin profesione kyçe për ekonominë dhe shoqërinë, duke filluar nga mësimdhënia dhe edukimi, puna sociale, drejtësia, dhe shëndetësia, deri te bujqësia, inxhinieria dhe sektori i energjisë./Katror.info