Të martën më 18 shkurt, mbahet konferenca ndërkombëtare “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike” në Universitetin amerikan të njohur për studime ndërkombëtare dhe diplomatike, Elliott School of International Affairs në Uashington, SHBA.
Konferenca organizohet nga Jeta Abazi Gashi (Universiteti i Prishtinës) në bashkëpunim me Profesor Babak Bahador dhe mbështetet nga Instituti për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike (Elliott School).
Ajo do të mbledhë ekspertë të njohur nga fusha e politikës, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, mediave dhe artit.
Kështu në panelin e parë “Marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe Diplomacia Publike” pjesëmarrës do jenë Elez Biberaj, ish-drejtor i Divizionit të Eurazisë të Zërit të Amerikës; Pëllumb Kelmendi, profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin; Auburn Drilona Emrullahu, ekonomiste, Banka Botërore.
Në panelin e dytë “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike” panelistë do jenë Ilir Dugolli, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Charles Kupchan, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Georgetown; Jeta Abazi-Gashi, Hulumtuese dhe Bursiste e Fulbright, Universiteti George Washington (nga Universiteti i Prishtinës).
Në panelin e tretë “Ndërtimi i Paqes (Art, Media dhe Politikë)” do jenë Sislej Xhafa, artist kosovar nga Nju Jorku;; Elizabeth Hume, Drejtoreshë Ekzekutive në Aleancën për Ndërtimin e Paqes; Gëzim Visoka, Profesor i Asociuar, Universiteti i Qytetit të Dublinit (DCU).
Kjo konferencë synon të sjellë një debat të thelluar mbi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës, rolin e diplomacisë publike dhe ndikimin e saj në të ardhmen e vendit./Katror.info