Në kuadër të projektit “Your Job”, në Prishtinë u mbajt Konferenca Përmbyllëse Rajonale “Youth Employment in the Western Balkans”. Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) morën pjesë në këtë ngjarje, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave, institucioneve dhe sektorit privat për krijimin e mundësive reale për të rinjtë.
Nga viti i ardhshëm pritet të fillojë pilotimi i Skemës së Garancisë për të Rinjtë, një iniciativë që synon ofrimin e mundësive për zhvillim profesional dhe personal për moshat 15–29 vjeç, duke parandaluar papunësinë afatgjatë dhe përjashtimin social. Kjo nismë përputhet me Strategjinë Shtetërore për Rini 2024–2032 dhe synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të aftësive jetësore dhe lidhjes së edukimit me tregun e punës.
MKRS falënderon Caritas-in dhe gjithë partnerët rajonalë e ndërkombëtarë për kontributin në këtë mision të përbashkët për fuqizimin e të rinjve./Katror.info









