Më shumë se 50,000 paund mbeturina u hoqën nga Arktiku në vitin 2023 pas një përpjekjeje shumëpalëshe që mobilizoi vullnetarë për të pastruar ekosistemet kritike veriore.
Operacionet e pastrimit u zhvilluan gjatë verës së shkurtër arktike në Alaskë, Grenlandë, Norvegji dhe Islandë.
Rreth 2,000 vullnetarë u angazhuan nga shtetet anëtare të Këshillit të Arktikut, një panel ndërqeveritar i krijuar për të siguruar përdorimin paqësor dhe të qëndrueshëm të rajonit arktik, i cili përfshin shtetet që shtrihen brenda kufijve të tij të ngrirë dhe popujt indigjenë që jetojnë aty, shkruan Good News Network, transmeton Katror.info.
Këshilli funksionon përmes grupeve të punës që adresojnë çështje të ndryshme. Një prej tyre, Mbrojtja e Mjedisit Detar Arktik (PAME), e themeluar në vitin 1991, bashkëpunoi me Ocean Conservancy dhe organizata lokale si Keep Norway Clean për të realizuar këtë operacion masiv si pjesë e iniciativës Arctic Cleanup.

Këto aksione vjetore kanë larguar mbi 100,000 paund mbeturina mes viteve 2021 dhe 2023, me Keep Norway Clean duke raportuar se shumica dërrmuese e mbeturinave vijnë nga industria e peshkimit.
Sipas kësaj organizate jofitimprurëse, pastrimi i Arktikut është sfidues dhe i kushtueshëm. Distancat e mëdha, terreni i vështirë, popullsia e shpërndarë, sezoni i kufizuar i pastrimit dhe infrastruktura e pamjaftueshme për menaxhimin e mbetjeve janë pengesat kryesore për realizimin e këtyre operacioneve vullnetare.
Fatmirësisht, izolimi i shumë zonave arktike kufizon hyrjen e mbetjeve në rajon. Pothuajse të gjitha ato transportohen nga rrymat dhe dallgët, duke u depozituar në brigjet shkëmbore./Katror.info
Përgatiti:
