Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, organizata 7Arte në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës ka mbjellë sot 50 pemë përgjatë shetitores së lumit Ibër, duke i dhënë një impuls të ri përmirësimit të hapësirave të gjelbra në qytet, shkruan Katror.info.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza, i cili e përgëzoi nismën dhe theksoi rëndësinë e mirëmbajtjes së ambienteve publike, si dhe nevojën për zgjerim të gjelbërimit në të gjitha pjesët e Mitrovicës. “Kjo është një hap konkret drejt një qyteti më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët tanë”, u shpreh ai.
Aktiviteti njëkohësisht shënon edhe hapjen e edicionit të 15-të të Green Fest, një festival i përvitshëm që promovon vetëdijesimin dhe aktivizmin mjedisor.
Iniciativa u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile në Kosovë” (EECSOK), i cili mbështetet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe zbatohet nga Community Development Fund – CDF./Katror.info