Më 10 shkurt 2025, qytetarët e Kosovës janë ftuar t’i bashkohen një bojkoti mbarëkombëtar të të gjitha marketeve, si reagim ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe esencialeve, shkruan Katror.info.
Ky veprim i koordinuar është organizuar nga grupi “KOSOVA BOJKOTON” me rreth 4 mijë anëtarë dhe do të konsistojë me ndalimin e blerjeve për një ditë të vetme, si mesazh i fuqishëm ndaj tregtarëve dhe autoriteteve se konsumatorët nuk do të pranojnë më çmime të padrejta dhe abuzive.
Ky bojkot ka si qëllim të tregojë fuqinë e konsumatorëve dhe të dërgojë një mesazh të qartë se ka ardhur koha për të ndryshuar këtë situatë të papërballueshme. Konsumatorët e Kosovës janë të inkurajuar të informojnë dhe të angazhojnë të tjerët për të marrë pjesë në këtë veprim simbolik, duke e shpërndarë mesazhin në rrjetet sociale dhe duke i njoftuar ata që i njohin.
Kjo lëvizje, siç ka raportuar Katror.info, po merr frymëzim nga veprime të ngjashme që kanë ndodhur në rajon, si bojkotet e organizuara nga qytetarët në Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë rezultuar në rënie të konsiderueshme të qarkullimit të marketeve. Shembulli kroat u ndoq edhe nga qytetarët e Serbisë, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë. Ata u bënë thirrje konsumatorëve të mos blejnë produkte specifike dhe, në raste të caktuara, të mos blejnë fare për një ditë të tërë.
Edhe në Kosovë, çmimet janë rritur ndjeshëm, sidomos për produktet bazë si buka, drithërat, kafja dhe pemët. Indeksi i çmimeve të konsumit ishte 1.6% më i lartë në vitin 2024 krahasuar me 2023-in.
Bojkoti i 10 shkurtit në Kosovë synon të dëshmojë se fuqia e konsumatorëve mund të ndikojë në treg dhe të kërkojë çmime më të drejta. Në këtë kontekst, qytetarët janë të ftuar të bëjnë një veprim të përbashkët për të dhënë një mesazh të fuqishëm për të drejtat e konsumatorëve dhe për të kontribuar në kërkimin e një jete më të përballueshme për të gjithë./Katror.info