Në vetëm dy afate kalimtare, drejtori sportiv Andreas Schicker dhe drejtori teknik Paul Pajduch kanë ndryshuar rrënjësisht fytyrën e Hoffenheimit. Ajo që sezonin e kaluar ishte një skuadër që luftonte për të shmangur rënien, sot është shndërruar në pretendente serioze për një vend në Ligën e Kampionëve.
Klubi gjerman ka qenë tepër aktiv në merkato, duke realizuar transferime që dhanë efekt të menjëhershëm. Deri tani, tranzicioni i ekipit konsiderohet i suksesshëm. Në dy afate, Hoffenheimi ka afruar 12 lojtarë, pesë prej të cilëve u rikthyen nga huazimet, ndërsa 19 futbollistë u larguan, disa prej tyre po ashtu në formë huazimi, shkruan Koha.
Rezultatet në fushë flasin vetë. Hoffenheimi mban aktualisht vendin e pestë në Bundesligë me 26 pikë, po aq sa Bayer Leverkuseni në pozitën e katërt. Një kontrast i madh me sezonin e kaluar, kur kampionati u mbyll në vendin e 15-të.
Suksesi lidhet ngushtë me përforcimet e ardhura. Në mbrojtje, Albian Hajdari, i transferuar nga Lugano, është shndërruar në një pikë kyçe. Mesfusha ka fituar stabilitet falë Leon Avdullahut (Basel) dhe Wouter Burgerit (Stoke City), ndërsa në fazën ofensive spikasin Tim Lemperle (Koln), Fisnik Asllani – i rikthyer nga huazimi te Elversbergu – dhe Bazoumana Touré, i ardhur nga Hammarby në janar. Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe Bernardo, Vladimir Coufal, Muhammed Damar dhe Leo Østigård.
Megjithatë, jo çdo lëvizje ka rezultuar e suksesshme. Talentit 18-vjeçar Deniz Zeitler, i ardhur nga Ingolstadti, i është besuar vetëm ekipi i dytë në Ligën e Tretë. Ndërkohë, Gift Orban, i transferuar nga Lyoni dhe më pas i huazuar te Verona, si dhe Mërgim Berisha, i rikthyer nga Augsburgu, nuk kanë arritur të sigurojnë rol të rëndësishëm nën drejtimin e trajnerit Christian Ilzer.
Pavarësisht kësaj, te Hoffenheimi mbizotëron kënaqësia për punën e bërë në dy afatet e fundit kalimtare. Klubi nuk pritet të bëjë lëvizje të mëdha në afatin dimëror, pasi themelet e hedhura nga Schicker dhe Pajduch në verë i kanë dhënë ekipit bazën e nevojshme për të synuar objektivin madhor: kualifikimin në Champions League. /Katror.info










