Energjia diellore është një nga zgjidhjet më të mira për rritjen e kërkesës për burime të ripërtëritshme dhe të gjelbra. Megjithatë, ndonëse panelet diellore tradicionale ndihmojnë në prodhimin e energjisë së pastër, asgjësimi i tyre paraqet sfida mjedisore.
Tani, një inovacion revolucionar mund ta ndryshojë këtë situatë: studiuesit kanë zhvilluar një metodë që lejon riciklimin e plotë të paneleve diellore moderne, duke përdorur ujin si tretës kryesor, duke e bërë energjinë diellore vërtet të qëndrueshme.
Kjo metodë, e zhvilluar nga shkencëtarët në Universitetin Linköping në Suedi, mundëson riciklimin e të gjitha pjesëve të një qelize diellore moderne pa përdorur tretës të rrezikshëm për mjedisin – dhe qeliza e ricikluar ruan të njëjtën efikasitet si ajo origjinale.
Një teknologji premtuese për të ardhmen
Kjo metodë funksionon me një nga teknologjitë më premtuese për brezin e ardhshëm të qelizave diellore: perovskitet.
Panelet diellore me perovskit janë jo vetëm të lira dhe të lehta për t’u prodhuar, por edhe fleksibël, të lehta dhe transparente. Falë këtyre karakteristikave, ato mund të vendosen mbi sipërfaqe të ndryshme, përfshirë dritaret. Për më tepër, ato arrijnë një efikasitet deri në 25% në shndërrimin e energjisë diellore në energji elektrike, një shifër e krahasueshme me panelet e sotme prej silici.
Por panelet prej silici po arrijnë fundin e ciklit të tyre të jetës, duke krijuar një problem serioz të mbetjeve.
“Nuk ka ende një teknologji efikase për të menaxhuar mbetjet e paneleve prej silici. Prandaj, panelet e vjetra përfundojnë në landfille,” shpjegon Xun Xiao, nga Departamenti i Fizikës, Kimisë dhe Biologjisë në Universitetin Linköping.
“Duhet ta marrim parasysh riciklimin që në fazën e zhvillimit të teknologjive të reja të qelizave diellore,” shton Feng Gao, profesor i optoelektronikës në të njëjtin universitet suedez.
“Shumë kompani po përpiqen të nxjerrin në treg panelet diellore me perovskit, por ne duam të shmangim një tjetër krizë mbetjesh,” thotë Niansheng Xu, postdoktorant në LiU. “Në këtë projekt, kemi zhvilluar një metodë që lejon përdorimin e të gjitha pjesëve të një qelize diellore të vjetër në një të re, pa kompromentuar performancën.”
Uji si tretës-një revolucion në riciklim
Ndërkohë që ekzistojnë disa metoda për të çmontuar qelizat diellore me perovskit, shumica përdorin dimetilformamid, një substancë e zakonshme në tretësit e bojërave. Por ky material është toksik, i rrezikshëm për mjedisin dhe potencialisht kancerogjen.
Ekipi i Universitetit Linköping ka zhvilluar një teknologji që përdor ujin si tretës për të çmontuar qelizat e degraduara me perovskit, duke shmangur substancat e dëmshme.
Më e rëndësishmja, perovskitet me cilësi të lartë mund të riciklohen nga tretësira e ujit.
“Mund të riciklojmë çdo gjë – xhamin mbrojtës, elektrodët, shtresat e perovskitit dhe madje edhe shtresën transportuese të ngarkesës elektrike,” thotë Xun Xiao.
Hapi i ardhshëm i studiuesve është zhvillimi i metodës për përdorim në shkallë industriale. Ata kanë publikuar studimin e tyre në revistën shkencore Nature dhe kanë aplikuar për patenta mbi teknologjinë e tyre. /Katror.info
Përgatiti:
