Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se është miratuar Rregullorja për Funksionimin e Komisionit Mediko-Social, e cila përfshin disa ndryshime thelbësore që synojnë të lehtësojnë procedurat për qytetarët me aftësi të kufizuara, shkruan Katror.info.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme të përfshira në këtë rregullore është eliminimi i procedurës së rivlerësimit për personat e verbër, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm drejt një qasje më të drejtë dhe më humane ndaj kësaj kategorie të ndjeshme të popullsisë.
“Rregullorja për Funksionimin e Komisionit Mediko-Social është miratuar, duke përfshirë disa ndryshime të rëndësishme, ndër to eliminimin e procesit të rivlerësimit, një kërkesë kyçe e komunitetit; rregullimin e procedurës së aplikimit për njohjen e statusit të personit të verbër dhe përmirësimin e kritereve dhe procedurave ekzistuese”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka përmirësuar gjithashtu procedurat për vlerësimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, duke mundësuar aplikimin elektronik për këtë kategori./Katror.info