Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e tyre gjatë ditëve me temperatura të larta, duke ndjekur këshillat parandaluese për të shmangur pasojat e nxehtësisë ekstreme.
Në një apel publik, Ministria ka renditur një sërë rekomandimesh për mbrojtje ndaj vapës, duke kërkuar që qytetarët të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 17:00 – periudha më e nxehtë e ditës.
Ministria ka këshilluar gjithashtu që qytetarët të përdorin krem mbrojtës ndaj diellit për të parandaluar dëmtimin e lëkurës nga rrezatimi UV, të pijnë ujë rregullisht – të paktën një gotë çdo orë dhe 2 deri në 3 litra në ditë – si dhe të vishen me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura.
Në mesin e këshillave të tjera, përfshihet edhe kufizimi i konsumit të kafesë dhe alkoolit, pasi ato kontribuojnë në dehidratim. Po ashtu, qytetarët janë këshilluar të mbajnë ambientet e brendshme të freskëta, duke përdorur ventilim apo pajisje ftohëse.
“Kujdes! Nëse ndjeni marramendje, djersitje të tepërt, të vjella, konfuzion apo shenja të tjera shqetësuese, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore më të afërt”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky apel vjen në një periudhë me valë të nxehti të pazakontë që po përfshin vendin, me temperatura që kapin apo tejkalojnë 40 gradë Celsius në disa rajone./Katror.info