Komuna e Prishtinës ka marrë aprovimin e Qeverisë së Kosovës për buxhetin e vitit 2025. Kjo u bë e ditur nga ana e Ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Siç e dini gjatë vitit të kaluar në afate të rregullta asambleja komunale nuk ka arritur që ta miratojë me kohë buxhetin, prandaj tek tani që e kanë miratuar ne si qeveri e procedojmë për në Kuvend dhe i mbetet legjislaturës së ardhshme në vijim që të miratojë këtë buxhet. Por, deri atëherë komuna do të vazhdojë me ndarjet buxhetore siç e parasheh ligji, pra sipas vitit 2024”, tha ai në konferencën për media.
Më 9 dhjetor 2024, me 25 vota për dhe një abstenim, komuna e Prishtinës e miratoi buxhetin për vitin 2025, i cili do të jetë 128 milionë euro./Katror.info