Tri ligje shumë të rëndësishme për sportin dhe trashëgiminë kulturore u miratuan përfundimisht mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.
Ndër ligjet më të rëndësishme për sportin ishte miratimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, i cili ndër të tjera parasheh lehtësira për investime në infrastrukturën sportive, përcakton formën dhe mënyrën e funksionimit të Komitetit Organizativ, mënyrën e financimit dhe rolet e palëve të përfshira.
Pastaj u miratua Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, përmes të cilit themelohet Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si agjenci ekzekutive, duke mundësuar kështu përmirësimin e kushteve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vend.
Si dhe u miratua Ligji Kundër Dukurive Negative në Sport, i cili definon dukuritë negative në sport duke përfshirë abuzimin, ngacmimin, neglizhencën dhe diskriminimin e sportistëve, si dhe parasheh masa konkrete për parandalimin, raportimin efikas dhe sanksionimin e dukurive negative në ngjarjet sportive, dhe masa të posaçme kundër kurdisjeve dhe basteve ilegale në sport./Katror.info