Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka miratuar Udhërrëfyesin për Zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP), duke krijuar kornizën për një qasje të strukturuar dhe të përshtatur me specifikat e sektorit bankar në vend, shkruan Katror.info.
Ky udhërrëfyes synon të mundësojë një zbatim gradual të këtij procesi, duke siguruar që mbikëqyrja bankare të jetë proporcionale me madhësinë, fushëveprimin dhe kompleksitetin e sistemit bankar.
SREP ka për qëllim monitorimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të rreziqeve ndaj të cilave ekspozohen bankat, si dhe përcaktimin e strategjive mbikëqyrëse që garantojnë stabilitetin financiar të vendit. Ky proces është pjesë e reformave të Bankës Qendrore dhe përmbush një nga Pikat Referuese Strukturore që rrjedhin nga marrëveshjet aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjithashtu, ky hap është në përputhje me rekomandimet e dhëna gjatë misionit të FMN-së në dhjetor 2024, si pjesë e Asistencës Teknike për këtë proces.
Nëpërmjet këtij udhërrëfyesi, BQK synon të avancojë sistemin e vlerësimit të rrezikut duke përzgjedhur kritere të qarta dhe duke përmirësuar metodologjinë mbikëqyrëse. Kjo do të mundësojë kalimin gradual nga sistemi aktual CAMELS në SREP, në përputhje me Udhëzimet e Autoritetit Bankar Evropian. Udhërrëfyesi gjithashtu përfshin planin për trajnimin e stafit, zhvillimin e konsultimeve me bankat dhe përcaktimin e një afati për zbatimin e plotë të këtij mekanizmi mbikëqyrës./Katror.info