Zëvendësshefi i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të BE-së, Thomas Boserup, Analistja e Zgjedhjeve Marcela Mašková dhe Analistja Ligjore Eirini Skouzou u takuan të hënën me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, me ç’rast u theksua se transparenca është kyçe në çdo proces zgjedhor.
Sipas njoftimit të Misionit Vëhgues Z. Radoniqi e informoi vëzhguesit lidhur me procesin e numërimit të votave, veçanërisht për zhvillimet në qendrat komunale të numërimit, votat postare jashtë Kosovës dhe votat me kusht.

“Ne dëgjojmë të gjithë akterët dhe takime si ky kontribuojnë në vlerësimin e përgjithshëm dhe raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit,” thuhet në njoftim.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008./Katror.info