Kosova ka përfituar një grant prej 5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, i cili do të përdoret për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujërave të zeza në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë. Marrëveshja e grantit është nënshkruar sot nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, së bashku me Drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sergiy Maslichenko, dhe përfaqësuesin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, përcjell Katror.info.
Ky grant është pjesë e një projekti më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës dhe përfshin ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues në Mitrovicë, Vushtrri dhe zonat përreth.
Projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës për rreth 123,000 banorë, duke ulur ndjeshëm ndotjen mjedisore dhe duke kontribuar në mbrojtjen e burimeve ujore lokale nga shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara.
Deri më tani, vlera totale e projektit kap rreth 38 milionë euro, ndërsa granti i fundit është rezultat i aplikimit të suksesshëm të Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Ky investim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët./Katror.info