Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka ndarë çmimet vjetore për teatër, duke vlerësuar kontributin e artistëve dhe rëndësinë e teatrit në shoqëri.
Në ceremoninë e organizuar në kuadër të Ditës Botërore të Teatrit, Çeku falënderoi artistët për punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të publikut.
“Kjo ditë ka simbolikën e vet sepse është Dita e Teatrit dhe shpreh falënderimin e sinqertë për të gjithë ata që e mbajnë teatrin gjallë dhe i shërbejnë publikut artdashës. Faleminderit për punën, përkushtimin, angazhimin dhe sakrificën,” tha ai, duke shtuar se juria ka bërë një vlerësim objektiv për ndarjen e çmimeve.
Në këtë ceremoni, çmimi për vepër jetësore iu dha aktores Canka Perri, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës u shpërblye me çmimin për shfaqjen më të mirë për produksionin “Martesa”.
Regjisori më i mirë u shpall Erson Zymberi, ndërsa Shpëtim Selmani u nderua me çmimin kombëtar për aktorin më të mirë. Çmimi për prezantimin më të mirë ndërkombëtar iu dha Qendrës Multimedia./Katror.info