Pas Gjakovës, aktiviteti “Moving Cinema” i PriFest kësaj here do ta vizitojë Kamenicën, me filmin fitues “No Way Home”.
“Në bashkëpunim me Komunën e Kamenicës dhe Qendrën e Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, PriFest do ta vazhdojë aktivitetin “Moving Cinema” në qytetin e Kamenicës.
Më datë 22 nëntor 2024, do të shfaqet filmi britanik No Way Home, nga regjisori Yousaf Ali Khan. Ky film ka fituar çmimin në edicionin e dytë të PriGlobal”, thuhet në njoftimin e PriFest.
Filmi rrëfen historinë e Ryan-it, i cili e di vetëm një gjë për babanë e tij – që ai është një “Paki” (pakistanez). Ryan ëndërron ditën kur babai i tij do të kthehet dhe do të largojë nga shtëpia të dashurin e ri të nënës së tij, Jasonin. Kur Ryan has një burrë të lënduar që fshihet në një kontejner në një djerrinë afër shtëpisë së tij, ai fillon të shpresojë se ëndrra e tij më e madhe po bëhet realitet.
“Shfaqja e filmit do të fillojë në ora 18:00 më 22 nëntor 2024, dhe hyrja për publikun është falas.
PriFest do të vazhdojë këtë nismë të shfaqjes së filmave fitues në qytete të ndryshme të Kosovës, duke sjellë kinemanë më afër jush. Për informacione të mëtejshme, ndiqni njoftimet tona të ardhshme”, thuhet tutje në njoftim./Katror.info