Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njofton të gjithë bashkatdhetarët tanë për kushtet që lidhen me udhëtimin drejt Kosovës me dokumente me afat të skaduar, përmes transportit rrugor.
Sipas njoftimit, disa shtete gjatë tranzitit kërkojnë dokumente të vlefshme udhëtimi, pa përjashtim.
“Udhëtimi me dokumente të skaduara nuk lejohet nëpër territoret e këtyre shteteve, pavarësisht nga praktikat e vendit ku nis udhëtimi. Duke iu referuar rasteve të fundit të paraqitura gjatë kalimeve tranzit, veçanërisht nëpër territorin e Italisë, theksojmë nevojën që qytetarët të verifikojnë paraprakisht kërkesat për dokumentacion për secilin vend që kalojnë gjatë udhëtimit të tyre,” njofton MPJD, raporton Katror.info.
Ministria gjithashtu ka bërë thirrje tek qytetarët që të planifikojnë udhëtimet e tyre me kujdes dhe të informohen për kushtet e kalimit nëpër secilin shtet përmes të cilit udhëtojnë. Në raste pasigurie, ju mund të kontaktoni misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës për udhëzime shtesë./Katror.info