Pas një sërë suksessh në festivale ndërkombëtare, filmi i shkurtër dokumentar “Mua besoj më shpëtoi portreti”, me regji nga Alban Muja, është përzgjedhur të jetë pjesë e Programit Konkurrues të Filmit Dokumentar në edicionin e vitit 2025 të Sarajevo Film Festival, shkruan Katror.info.
Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në bashkëprodhim me AsfaltFilms, me producent Edon Rizvanolli, dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Mua besoj më shpëtoi portreti” ka pasur premierën botërore në Berlinale 2025, në seksionin Forum Expanded të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ndërsa më pas ka vazhduar rrugëtimin në festivale të tjera të rëndësishme evropiane. Në Kurzfilm Festival Hamburg, juria e festivalit e nominoi filmin si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit (European Film Awards), një arritje e rëndësishme për kinemanë dokumentare nga Kosova.
Filmi është shfaqur edhe në festivalin Vienna Shorts në Austri, si pjesë e programit tematik “Kur do të mësojnë ndonjëherë?”./Katror.info