Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” i artistit dhe regjisorit Alban Muja do të shfaqet sërish në Berlin, si pjesë e Berlinale Spotlight më 21 dhjetor, në Dokumentationszentrum Flucht, Vertreibung, Versöhnung (Qendra e Dokumentimit për Zhvendosje, Dëbim dhe Pajtim).
Pas premierës në edicionin e sivjetëm të Berlinales dhe suksesit në disa festivale ndërkombëtare, filmi vazhdon të marrë vëmendje të veçantë në arenën evropiane. Ky dokumentar prekës trajton temat e mbijetesës, qëndrueshmërisë dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës, me personazh kryesor piktorin Skender Muja, babain e regjisorit.
Po ashtu, filmi është përzgjedhur në Shortlist për Çmimet Evropiane të Filmit (European Film Awards) në kategorinë e filmave të shkurtër, si kandidat nga Kurzfilm Festival Hamburg. Fituesi i kësaj kategorie do të shpallet në ceremoninë që do të mbahet në Berlin vitin e ardhshëm.
Sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, deri më sot “Mua besoj më shpëtoi portreti” mbetet i vetmi film nga rajoni i përzgjedhur si kandidat për këtë çmim prestigjioz evropian./Katror.info









