Këndimi mund të jetë më i efektshëm se trajtimet tradicionale në lehtësimin e simptomave të depresionit pas lindjes, sipas një studimi të ri, të pari i këtij lloji, i realizuar nga King’s College London.
Në studim u përfshinë 199 nëna që po përjetonin depresion pas lindjes. 66 prej tyre morën pjesë në aktivitete për nëna dhe foshnja që nuk përfshinin këndimin, ndërsa 133 të tjerat u drejtuan drejt grupeve të këndimit “Breathe Melodies for Mums” në jug të Londrës.
Sipas rezultateve të botuara në revistën British Journal of Psychiatry, nënat që morën pjesë në grupet e këndimit përjetuan mesatarisht 15 ditë më shumë në gjendje të plotë shëndetësore, krahasuar me grupin tjetër, shkruan Positive News, përcjell Katror.info.
Një nga pjesëmarrëset, Finda, tregoi: “Kur mbyll sytë dhe këndoj ato këngë të mrekullueshme, ndjehem kaq e lumtur. Këndimi më ka përmirësuar humorin dhe vetëbesimin. Këndimi për fëmijët e mi më ndihmoi të lidhem me ta, më bëri të ndihesha si një nënë e mrekullueshme.”
Yvonne Farquharson, themeluese e Breathe Arts Health Research, organizata që drejton këto grupe, u shpreh: “Shpresojmë që ky kërkim të shërbejë si një thirrje e fortë për institucionet që financojnë shërbimet e shëndetit publik në Mbretërinë e Bashkuar që të investojnë në këtë program klinikisht dhe ekonomikisht efektiv, i cili tashmë ka dëshmuar se ndryshon jetë.”/Katror.info