Aktoreja Naomi Watts u nderua të hënën me një yll në Hollywood Walk of Fame. Në këtë ngjarje të veçantë, mes të ftuarve ishin burri i saj, aktori Billy Crudup, si dhe miqtë e njohur të Watts, përfshirë Jack Black, Sarah Paulson, Niecy Nash dhe Gore Verbinski.
Pas ceremonisë, Watts pranoi se ka qenë gjithmonë e mbushur me dyshime për veten. “Nuk mund ta besoj fare,” i tha ajo revistës Variety duke marrë këtë nderim. “Gjithmonë kam ndjerë që duhet të luftoj, të provoj veten, dhe kjo gjë erdhi krejt papritur. Është me të vërtetë e bukur.”
Aktorja është e njohur për rolet e saj të paharrueshme në filma si Mulholland Drive, The Ring, The Impossible, King Kong, 21 Grams, seriali Divergent, Birdman dhe Feud: Capote vs. the Swans.
Ana Martinez, producentja e Walk of Fame, në një deklaratë për media tha: “Hollywood Chamber of Commerce është krenar që mirëpret aktoren Naomi Watts në Walk of Fame. Naomi ka sjellë thellësi dhe hijeshi të pakrahasueshme në ekran, dhe ne nderojmë karrierën e saj të jashtëzakonshme dhe kontributet që ajo ka dhënë në kinematografi, duke lënë një ndikim të qëndrueshëm që frymëzon audiencat dhe artistët në mbarë botën.”/ABC News/Katror.info