Periudha e festave të dimrit zakonisht lidhet me gëzim, por për shumë prej nesh ajo sjell edhe ngarkesë, përgjegjësi dhe presion social për të marrë pjesë në aktivitete që nuk i dëshirojmë.
Të pranosh diçka që nuk do, është një ndjenjë e njohur për të gjithë. Shpesh shoqërohet me tension në stomak, gojë të thatë apo rritje të rrahjeve të zemrës. Edhe mjekët dhe prezantuesit e podcast-it “What’s Up Docs”, Dr. Xand dhe Dr. Chris van Tulleken, thonë se e përjetojnë shpesh këtë situatë, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
“Na dridhet zëri të dyve,” thotë Dr. Xand. “Është shumë e vështirë të thuash: ‘Në fakt, nuk dua ta bëj këtë’.”
Megjithatë, sipas tyre, të ndjerit më komod me fjalën “jo” është hapi i parë drejt marrjes së kontrollit në jetën tonë. “Pavarësisht nëse je tetë apo tetëdhjetë vjeç, të thuash jo dhe të mbrosh veten është thelbësore për shëndetin mendor,” shton ai.
Ekspertja e sjelljes, Dr. Sunita Sah, sugjeron tre mënyra për t’u bërë më të zotë në këtë aftësi.
- Kuptoni se është në rregull të thoni “jo”
Shumë prej nesh janë rritur me idenë se bindja është virtyt, ndërsa kundërshtimi është i gabuar. “Fëmijët mësohen vazhdimisht të binden, por jo të kundërshtojnë,” thotë Dr. Sah. Ndaj rritemi me vështirësinë për t’u distancuar nga ky model.
Ajo sugjeron të riformulojmë mënyrën si e shohim fjalën “jo”: jo si akt negativ, por si mbrojtje e vlerave tona. “Të kundërshtosh do të thotë të veprosh sipas vlerave të tua, sidomos kur je nën presion.”
Sipas saj, pyetja që duhet bërë është: A po shkel vlerat e mia nëse them po? Identifikimi i vlerave – ato fjalë të fuqishme si integriteti, drejtësia, dhembshuria – ndihmon të veprojmë në përputhje me to. Madje, studimet tregojnë se t’i shkruash i bën edhe më të lehta vendimet e drejta.
- Kërkoni më shumë kohë
Nuk keni pse të përgjigjeni menjëherë. Marrja e një pauze ju jep hapësirë për të reflektuar ndershmërisht. Shprehje të thjeshta si “Më lër ta mendoj” ose “Do të të kthehem me përgjigje” mund të jenë shumë efektive.
Sipas Dr. Sah, distanca – fizike apo psikologjike – ndihmon të marrësh vendime më të qarta. Të largohesh pak nga situata, edhe thjesht për të reflektuar në privatësi, mund të të japë mundësinë të ndryshosh mendim pa presion.
- Praktikoni “jo”-n në situata të vogla
Nëse e keni të vështirë, filloni me situatat e përditshme dhe me rrezik të ulët: një ftesë e komshiut, një shitës që të ndalon në rrugë, apo dikush që kërkon të huazojë diçka.
“Nuk është një akt heroik – nuk është të kundërshtosh shefin e padrejtë – por është po aq i rëndësishëm për vetëmbrojtje,” thotë Dr. Xand.
Kur zhvilloni aftësinë për të thënë “jo” në situata të thjeshta, bëheni më të fortë për ato të rëndësishmet, ku të pranosh diçka do të thoshte të shkelje vlerat e tua.
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info















