Apple dhe Google kanë rënë dakord të bëjnë ndryshime në dyqanet e tyre të aplikacioneve në Mbretërinë e Bashkuar, pas ndërhyrjes së autoritetit britanik të konkurrencës, Competition and Markets Authority (CMA).
Sipas CMA-së, dy gjigantët e teknologjisë janë angazhuar të mos u japin trajtim preferencial aplikacioneve të tyre dhe të rrisin transparencën mbi mënyrën se si miratohen aplikacionet e palëve të treta për shitje. Marrëveshja vjen shtatë muaj pasi rregullatori deklaroi se Apple dhe Google kishin krijuar një “duopol efektiv” në tregun britanik të aplikacioneve, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
Drejtoresha e CMA-së, Sarah Cardell, tha se angazhimet e reja “do të nxisin ekonominë e aplikacioneve në Mbretërinë e Bashkuar” dhe përfaqësojnë hapin e parë të një serie masash të tjera.
“Aftësia për të siguruar angazhime të menjëhershme nga Apple dhe Google pasqyron fleksibilitetin unik të regjimit britanik të konkurrencës në tregjet digjitale dhe ofron një rrugë praktike për adresimin e shpejtë të shqetësimeve të identifikuara,” u shpreh ajo.
Në tetor 2025, CMA i shpalli dyqanet e aplikacioneve të Apple dhe Google si subjekte me “status strategjik tregu”, duke i dhënë rregullatorit kompetenca për të kërkuar ndryshime që synojnë rritjen e konkurrencës dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në kuadër të masave të reja, kompanitë janë zotuar gjithashtu të mos përdorin në mënyrë të padrejtë të dhënat e mbledhura nga zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta. Cardell i cilësoi këto masa si “hapa të rëndësishëm fillestarë”, duke shtuar se CMA do të vazhdojë bashkëpunimin me Apple dhe Google për masa të mëtejshme.
Rregullatori paralajmëroi se do të monitorojë nga afër zbatimin e angazhimeve dhe se do të ndërhyjë formalisht nëse konstatohet mosrespektim.
Të dyja kompanitë e mirëpritën marrëveshjen. Një zëdhënës i Apple deklaroi se kompania përballet me konkurrencë të fortë në çdo treg ku operon dhe se është e përkushtuar për të ofruar produkte dhe shërbime sa më cilësore. Nga ana tjetër, Google tha se, megjithëse beson se praktikat aktuale të Play Store janë të drejta dhe transparente, mirëpret mundësinë për të zgjidhur shqetësimet e CMA-së përmes bashkëpunimit.
Analisti i teknologjisë Paolo Pescatore e përshkroi zhvillimin si një “hap pragmatik”, por vlerësoi se për disa kritikë ai mund të shihet si adresim i çështjeve më të lehta.
“Do të ketë patjetër thirrje për masa më të ashpra, ndaj nuk duhet pritur që ky të jetë kapitulli i fundit,” tha ai.
Sipas CMA-së, ekonomia e aplikacioneve në Mbretërinë e Bashkuar është më e madhja në Europë për nga të ardhurat dhe numri i zhvilluesve, duke kontribuar rreth 1.5% të PBB-së dhe duke mbështetur afërsisht 400 mijë vende pune.
Apple dhe Google kanë paralajmëruar më herët autoritetet britanike që të mos ndjekin shembullin e Bashkimit Europian me rregullore të rrepta, të cilat sipas tyre dëmtojnë inovacionin. Në BE, kompanitë e mëdha të teknologjisë të klasifikuara si “portierë” të tregut janë përballur me kërkesa më të ashpra për transparencë, konkurrencë dhe zgjedhje për përdoruesit.
Apple ka theksuar se angazhimet e shpallura pasqyrojnë qasjen e saj pragmatike ndaj rregullimit dhe bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet britanike.
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info















