Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka nisur një javë të tërë të diskutimeve me fokus në mbrojtjen e mjedisit dhe përmbushjen e zotimeve për Agjendën e Gjelbër, shkruan Katror.info.
Aktivitetet do të përfshijnë biseda me ambientalistë, qytetarë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe organizata të shoqërisë civile, me qëllim të nxitjes së një dialogu gjithëpërfshirës për të ardhmen e gjelbër të vendit.
Java e gjelbër do të nisë nesër me një diskutim me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila do të prezantojë hapat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për të përmbushur zotimet e saj në kuadër të Agjendës së Gjelbër.
Përveç kryeqytetit, debati do të zgjerohet edhe në 12 komuna të Kosovës përmes “orëve të gjelbëra”, ku qytetarët do të kenë mundësinë të kërkojnë llogari nga kryetarët komunalë për premtimet mjedisore të dhëna.
KDI ka ftuar qytetarët të ndjekin kalendarin e aktiviteteve dhe të bëhen pjesë aktive e diskutimeve, duke sjellë ide konkrete për ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të gjelbër./Katror.info