Madrid pritet të bëhet një nga kryeqytetet e para evropiane ku do të operojnë taksi pa shofer, pasi kompania Uber njoftoi se do të vendosë makaina autonome në shërbim në kryeqytetin spanjoll para përfundimit të vitit 2026. Ky hap shënon një pikë kthese në mobilitetin urban, duke sjellë një model të ri të transportit përmes teknologjisë pa shofer, shkruan Euronews, përcjell Katror.info.
Uber është në bisedime me autoritetet e Madridit për të përcaktuar kornizën rregullatore dhe operative të këtij shërbimi. Synimi është që përdoruesit të mund të kërkojnë një makinë autonome direkt përmes aplikacionit, pa asnjë person në timon.
Makina autonome, të quajtura ndryshe robotaksi, do të jenë të pajisura me sensorë, kamera dhe radarë që analizojnë mjedisin në kohë reale, identifikojnë këmbësorë dhe reagojnë ndaj situatave të papritura duke përdorur sisteme inteligjente të drejtimit. Uber nuk ka zbuluar ende zonat ku taksitë pa shofer do të fillojnë punën ose nëse në fazat e para do të ketë shoferë sigurie, por ka bërë të ditur se shpërndarja do të jetë graduale dhe nën mbikëqyrje rregullatore.
Gara globale për transportin autonom
Vendosja e robotaksive është pjesë e një strategjie më të gjerë ndërkombëtare të Uber për të zgjeruar mobilitetin autonom në qytete të ndryshme brenda vitit 2026. Investimet në teknologjitë pa shofer janë rritur globalisht, ndërsa kompanitë teknologjike dhe prodhuesit e automjeteve përpiqen të çojnë përpara transportin autonom.
Për Madridin, ky projekt mund të përfaqësojë një ndryshim të madh në mënyrën e lëvizjes urbane, ku përdoruesit mund të porosisin një makinë nga telefoni dhe ajo të mbërrijë pa shofer — një skenar që deri vonë dukej si pjesë e fanta-shkencës./Katror.info










