Gratë në Kosovë shpesh përballen me sfida në të drejtën e pronës, dhe duke mos ditur si t’i zgjidhin juridikisht, shumë herë mbeten pa e zgjidhur problemin.
Duke e parë këtë si një sfidë të veçantë, Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC), në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ka nisur iniciativa për të rritur vetëdijesimin për regjistrimin e pronave në emër të të dy bashkëshortëve, – shkruan Katror.info.
“Ne jemi duke implementuar programin PIAKOS i cili me theks të veçantë ndihmon palët të cilët kanë nevojë në regjistrim të pronës në emër të dy bashkëshortëve ideja e këtij programi është që palët të vetëdijesohen për të drejtat e pronës, të regjistrojnë pronat e tyre si dhe të rritet përqindja e pjesëmarrjes së grave në regjistrim të pronave” – tha Lirika Bakija, këshilltare ligjore në ATRC.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kadastrale, në Kosovë janë të regjistruara rreth 612 mijë prona, por vetëm 20% e tyre figurojnë në emër ose bashkëpronësi të grave.
“Kjo vjen si pasojë për arsye të ndryshme të normave kryesisht të cilat i kemi patriarkale në shoqërinë tonë dhe të cilat ende nuk kanë mundur që të evitohen, ne jemi duke punu fuqishëm me aktivitete të ndryshme dhe duke avokuar tek të gjitha palët duke filluar nga të rinjtë, mandej të rriturit, e kështu me radhë që ata të vetëdijësohen edhe të ndajnë pasurinë e tyre barbarësisht mes djemve dhe vajzave. Sa i përket aspektit legjislativ, në Kosovë e kemi duke fillu që nga Kushtetuta e drejta e pronës është e drejtë themelore e cila i takojnë çdo individi i cili jeton, mandej janë edhe ligjet e tjera përcjellëse, ligji për pronat, për trashëgiminë, i cili në përgjithësi rregullon shumë mirë aspektin e barazisë gjinore” – u shpreh ajo.
Që nga themelimi i saj në vitin 2001, Qendra për Trajnim dhe Burime për Avokim (ATRC) ka qenë një prej adresave kryesore të mbështetjes për shoqërinë civile në Kosovë.
E bazuar në besimin se qytetari i informuar është çelësi i një shoqërie demokratike, ATRC ka ndërtuar programe që fuqizojnë qytetarët dhe OJQ-të për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe të ndikojnë në proceset shoqërore.
Ndihma juridike e ATRC-së është e hapur për të gjithë, ndonëse për momentin fokusi është tek gratë, duke pasur parasysh lidhjen e të drejtës së pronës me fuqizimin e tyre ekonomik.
Qendra fuqizon qytetarët të avokojnë për ndryshim dhe të ndërtojnë komunitete gjithëpërfshirëse që nxisin solidaritetin dhe përfshirjen.
“Ne jemi duke e implementu projektin i cili është i mbështetur prej fondit të paqes dhe shtetndërtimit në kuadër të Bankës Botërore. Ky është një fond, i cili i mbështet të gjitha vendet të cilat janë në zhvillim e sipër. Gjithsesi, domethënë e drejta e pronës lidhet shumë edhe me fuqizimin ekonomik të grave dhe kjo është njëra ndër arsyet pse duhet që edhe gratë të kenë prona në emër të tyre në mënyrë që ato të kenë të drejtë edhe mundësi që t’i vendosin ato në hipotekë, mandej të krijojnë start-up apo biznese të reja, të kenë qasje pra në financa” – tha Lirika.
“Ne tash së fundmi, gjithashtu me partnerin tonë nga LPS kemi kemi bërë një monitorim në gjykata edhe një monitorim i cili ka zgjatur për rreth 11 muaj, kemi monitoruar 172 seanca gjyqësore, po gjithashtu edhe 60 raste veçse te aktgjykimet apo vendimet e marra nga gjyqtarët në Republikën e Kosovës. Ky raport thekson që ka nevojë ende më shumë të bëhet në në aspektin e të drejtës së pronës. Nga raporti dalin të gjetura se procesverbalet jo shpeshherë janë në përputhje me realitetin se çka ndodh në seanca, mandej një çështje shumë me rëndësi e cila ka dalë diskutabile është kontributi, legjislacioni kosovar e njeh kontributin në familje, të cilën e jep gruaja, pavarësisht nëse nuk punon edhe nuk sjell financa mirëpo në praktikë del të jetë shumë e vështirë e matshme” – shtoi tutje.
Studimet tregojnë se aplikimi i këtyre metodave sjell rezultate pozitive.
“Hulumtime të ndryshme tregojnë që gratë, të cilat kanë pronë në bashkëpunësi me burrat, tregojnë që kanë më shumë vendimmarrje në familje, por gjithashtu edhe janë më të prirur që të mos ketë dhunë në familje apo bien ndjeshëm dhuna në familje” – tha ajo.
Programet e ATRC-së dhe partneriteti me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas nuk kanë vetëm qëllim të lehtësojnë regjistrimin e pronave, por edhe të fuqizojnë gratë ekonomikisht dhe të rrisin vetëdijesimin për të drejtat ligjore./Katror.info.
Edicionin #89 të plotë e gjeni KËTU 🙂