Me 24 korrik në ora 18:00 në Prizren në Teatrin “Bekim Fehmiu” një ngjarje e veçantë teatrale vjen si pjesë e bashkëpunimit me Prizren Fest: “KRIEG / A-C-I-N-S-E-L-A-K”, një projekt eksperimental i teatrit video nga Maqedonia e Veriut.
Ky diptik teatror ndahet në dy pjesë – “KRIEG” (versioni mashkullor) dhe “A-C-I-N-S-E-L-A-K” (versioni femëror) – duke eksploruar luftën dhe agoninë përmes një qasjeje vizuale dhe performative të fuqishme.
Në qendër të performancës janë dy ushtarë në agoni, një burrë dhe një grua, që zhvillojnë një narrativë abstrakte mbi luftën, përmes temave si heroizmi, trauma, dhimbja, mpirja, frika, vdekja dhe dashuria e vrarë. Strukturimi i veprës përfshin segmente si: Ushtari–Makineri, Ushtari–Njeri, Lufta, Ikja dhe gjendja post-elegjike.
Ekipi kreativ përbehet nga Ivanka Apostolova Baskar – Producentja kreative, regjisore, adaptuese dhe dramaturge vizuale, Zdravko Stojmirov – Ushtari mashkull në agoni, Filareta Atanasova – Ushtarja femër në agoni, Mihailo Apostolov – Kamera, montazhi dhe zëri, Vesna Apostolova Brishkoska – Fotografi, Luna Salamon – Vizatime eksperimentale.
Pas shfaqjes do të mbahet një sesion Q&A me ekipin krijues, për të diskutuar procesin artistik dhe temat që ngërthen vepra, njofton Prizren Fest, shkruan RTK.
Sipas njoftimit ky projekt do të zhvillohet më tej në vitin 2026 me studentë të arteve dramatike.
Producent është Qendra Maqedonase ITI me mbështetje nga Creative Europe / EACEA dhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut./Katror.info