Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri, dhe përfaqësuesja e Lindja Solar L.L.C., Luisa Helms, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Kyçjes në Rrjetin e Transmetimit për ndërtimin e Parkut Solar Kramovik, një projekt me kapacitet të instaluar prej 105 MW që synon të rrisë prodhimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, shkruan Katror.info.
Parku, i cili do të ndërtohet në rajonin e Rahovecit, është rezultat i ankandit të parë konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, ku Lindja Solar L.L.C. u përzgjodh për zbatimin e projektit. Ky investim synon të kontribuojë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Për kyçjen e parkut me rrjetin e transmetimit do të ndërtohet një linjë e re e dyfishtë 110 kV, me gjatësi 0.2 km, e cila do të integrohet në infrastrukturën ekzistuese ndërmjet NS Klina dhe NS Gjakova 1.
KOSTT ka theksuar përkushtimin e tij për zhvillimin e një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme të transmetimit, duke mbështetur integrimin e burimeve të ripërtëritshme në sistemin energjetik të Kosovës./Katror.info